FSHZH lidh kontratën 2.3 mln euro për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit në Korçë
Fondi Shqiptar i Zhvillimit nënshkroi marrëveshjen për transformimin e Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, me vlerë 2.3 milionë euro.
Investime në asetet publike
Pallati i Sporteve “Tamara Nikolla” në Korçë do të rikonstruktohet plotësisht përmes një investimi të ri të kontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), si pjesë e projektit për transformimin e aseteve publike.
Sipas FSHZH-së, kontrata është lidhur me kompaninë fituese “Xhengo SHPK”, me një ofertë prej 232 milionë lekësh, që korrespondon me rreth 2.3 milionë euro, për rikonstruksionin dhe modernizimin e objektit ekzistues.
Pallati i sportit do të transformohet sipas standardeve ndërkombëtare
Ndërtesa, e ndërtuar në vitin 1973 nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Urbanistikës dhe Arkitekturës, do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve funksionale dhe estetike për t’u përshtatur me kërkesat moderne të infrastrukturës sportive. Koncepti i projektit bazohet në vizionin e kompleksit të Stadiumit të Korçës, të realizuar nga studio ndërkombëtare CEBRA | ARUP | UNO Architects.
Ndërhyrje funksionale dhe arkitektonike
Ndërhyrjet përfshijnë riorganizimin e hapësirës së hollit ku do të krijohen ambiente të reja si muze me sipërfaqe 82.7 m², bar-kafe 45 m², dyqan 20 m² dhe holl 66.2 m². Po ashtu, do të shtohet një kat me zyra dhe hapësira ndihmëse me sipërfaqe 380 m², si dhe do të instalohen ashensorë dhe rampa.
Hapësirat ekzistuese si dhomat e zhveshjes, dushet dhe depot do të përmirësohen me pajisje të reja, duke ruajtur përmasat aktuale. Ndërhyrjet në fasadë do të prekin kryesisht anën juglindore, ku do të vendosen vetrata xhami në të gjithë gjatësinë e strukturës, ndërsa fasadat anësore do të kenë më shumë hyrje-dalje për qarkullim më të mirë.
Identitet i ri arkitektonik për qytetin
Fasada e pasme do të unifikohet me pjesën tjetër të objektit për të krijuar harmoni vizuale me arkitekturën bashkëkohore të qytetit. Ngjyrat dhe materialet e përdorura do të reflektojnë stilin modern të Korçës, duke forcuar lidhjen estetike mes pallatit të sportit, hotelit përreth dhe hapësirave publike të zonës sportive.